Agron Llakaj rrëfen: Ja çfarë do të ndodhë në Al Pazar



Humoristi i ekranit shqiptar, Agron Llakaj, shumë shpejt do t’i rikthehet ekranit në “Vizion Plus” me spektaklin “Al Pazar”.
Se pse është zgjedhur ky emër dhe detaje të shfaqjes, e cila do të ketë premierën në datën 6 tetor, artisti është rrekur t’i qartësojë në një intervistë për “GSH”.

Agron Llakaj rrëfen: Ja çfarë do të ndodhë në Al Pazar“Al Pazar është një show satiriko –komik, në qendër të të cilit do të vendoset lajmi, ngjarja, ajo që ndodh. Është zgjedhur pazari sepse në pazar ndodh gjithçka, në pazar gatuhet lajmi, në pazar zmadhohet lajmi, në pazar bëhet qimja tra, po në pazar vijnë lloj- lloj karakteresh,” tregon Llakaj.

Ai tregon se ky show bën diferencën sepse nuk ka karakter investigues, ka karakter evidentues dhe mbi të gjitha goditës, shpotitës, dhe duke qenë i tillë, në një farë mënyre është zëri i popullit.

“Do merremi me monitorimet dhe lajmet, por këtu ka edhe një element plus, këtu kemi të bëjmë me një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me publikun, duke e bërë atë një pjesë të rëndësishme dhe të qenësishme të këtij show. Do të ketë imitime të personazheve politikë, të cilët janë quajtur Krem Karameli, gjithashtu do jetë edhe një telenovelë, që do të quhet “Oqi apo po”, në të cilën flitet për një çift grek, që kërkon fatin në pazar. Pjesë e spektaklit do të jetë edhe i ftuari special, të cilët do të jenë emra të respektuar ndër vite të kinemasë, estradës, teatrit. Gjithashtu do të jetë edhe një rubrikë, e quajtur “Stari i Pazarit” dhe voxpop-et, që janë quajtur “Zëri i Popullit’, që do të zhvillohen nga dy vajza, dy Stelat e pazarit”, pohon Llakaj.

Ai ka rrëfyer se për këtë ide ka rreth një vit që punon dhe se zgjedhja e stafit është bërë me audicion, por për artistë si Behar Mera apo të tjerë, vlen veçantia e tyre. Ai tregon se ky është i njëjti program, që është përfolur se do të vihej në jetë nga TV Klan, por për arsye x nuk ka gjetur terren.

“Nuk jam pasur asnjë lloj konflikti, por mbase aty ka gjëra më të rëndësishme se sa kjo”, thotë ai.

Llakaj tregon se e ka dashur “Milionerin”, por i ka munguar humori. Ndër të tjera Lakaj ka perifrazuar një shprehje të Coelhos: “Më vjen jashtëzakonisht keq, por sëmundja që përjetojmë ne është se njerëzit nuk e ndjekin ndjenjën e tyre, inteligjencën e tyre, por janë të frustruar nga reklama dhe propaganda”, nënvizon Llakaj.

Ai ka pohuar se e gjithë ideja e spektaklit është ide origjinale dhe se shqiptarët duhet të ndërgjegjësohen më shumë se kurrë në këtë 100-vjetor.

Çfarë mendoni? Komentoni më poshtë...

Postime të tjera...

Kërkimet për këtë postim...